Sot ishte dita ime e madhe. Pas “sukseseve” të fundit, Partia më ngriti në detyrë. Në Tiranë, në sallën e mbledhjeve të Komitetit Qendror, u ngrita në këmbë dhe ndjeva sikur më kishin vendosur mbi piedestalin e Kombinatit “Josif Visarionoviç Stalin”. Sekretari i Parë i Korçës, paraardhësi im, u rrëzua me turp – vetëm pse duartrokitjet e tij nuk arritën 17 minuta të plota. Ai u trondit më shumë nga kjo se nga tërmeti i 1960-s. Fytyra e tij morri pamjen e rrushit të shtypur në kantinën e Maliqit, ndërsa sytë i shndrisnin si llambat e naftës para se të shuheshin. Unë, përkundrazi, u zgjodha me unanimitet.
— Mendova se më zgjodhën vetëm sepse duartrokitjet e mia zgjatnin më shumë se çdo burrë në sallë… dhe nuk më mpiheshin pëllëmbët si atyre që shkrinin duart më shpejt se shkrinte çeliku në Metalurgjik
Duartrokitjet zgjatën aq gjatë, sa edhe Radio Tirana e humbi sinjalin dhe transmetoi vetëm zhurmën e pëllëmbëve. Emërimi im ra si një çekan i madh mbi trungun e historisë: ndau të kaluarën nga e ardhmja. Portreti i madh i shokut Enver i varur mbi tribunë, më buzëqeshi, sikur më bekonte personalisht.
Pas mbledhjes më priste Volga e zezë me shoferin tim të ri, Tefikun – jo thjesht shofer, por syri i Sigurimit. Ai më hapi derën me respekt, dhe makina u nis. Pas nesh, ishin edhe dy makina shoqëruse GAZ-69 me oficerë sigurimi. Në rrugë, njerëzit u ngritën në këmbë. Disa ngritën kapele, disa kokat e qethura – si lulëkuqe që përkuleshin nga era e Partisë. Ndihesha si një statujë e re, që po vendosej në sheshin e qytetit.
Në Korçë, më priste vila e re e Partisë:
— mure të bardha,
— kopsht me lule të kuqe,
— portë hekuri që kërciste si daulle revolucionare.
Brenda, mobilie kineze: tavolinë bambuje dhe divan që të zhyste trupin si të ishe në prehërin e revolucionit. Hapat e mia në korridorin e Komitetit të Partisë, jehuan më fuqishëm se tanke sovjetike në Stalingrad. Dhe kështu, jo vetëm që u ngjita më lart në detyrë, por u bëra edhe simbol i dritës së përjetshme të Partisë.
U ula për herë të parë në krye të mbledhjes së Komitetit të Partisë për Korçën. Tryeza e gjatë e drurit dukej si një arkivol i madh, ku secili kuadër shtrinte duart e veta, gati për të varrosur rivalin tjetër. Kur u ngrita për të folur, duartrokitjet shpërthyen aq fort, sa tavani filloi të pikojë gëlqere mbi kokat e kuadrove.
Njëri nga kuadrot, nga emocionet, piu gotën e ujit me aq etje sa dukej sikur po gëlltiste gjithë liqenin e Pogradecit për të mbytur smirën e vet. Një tjetër më shihte drejt e në sy, me buzë që dridheshin si gicë në thertore.
Smira e tyre ishte si krimbi që gërryente mollën e socializmit, ndërsa zërat, si gjinkalla që këndojnë vetëm kur ngrohen nga dielli i pushtetit…