U zgjova sot herët në vilën e re të Partisë . Muret e saj të bardha më dukeshin si faqe fletoreje, ku do të shkruhej historia e re e Korçës. Në verandë, trëndafilat e kuq hapeshin krenarë, si delegatë partie që presin sinjalin për duartrokitje.
U vesha me kostumin gri të stofit. Ai më rrinte ngjitur në trup si uniformë beteje, e qepur posaçërisht që të mos hapej pa vendim të Komitetit. Bëra një kafe të zezë dhe e piva me ngadalë, ndërsa dëgjova gjëmimin e motorit të Volgës që më priste jashtë. Dola jashtë. Shoferi im Tefiku njeri serioz, sy i Sigurimit, më hapi derën. Pas nesh u renditën dy GAZ të tjera me kuadro dhe oficerë partie.
Eskorta u nis drejt kooperativës në fshatin Pojan si një karvan triumfi. Kur hyra në fshat, fëmijët vrapuan pas makinës, duke thirrur: “Rroftë Partia! Rroftë Shoqja Drita!” – por më shumë dukeshin sikur kërkonin një karamele që nuk ekzistonte. Gratë e kooperativës më pritën me buqeta qepësh dhe mollë të tharta.
— Shoqe, këto janë frutat e djersës sonë, — më tha njëra.
Era e qepëve më shpërtheu sytë, dhe qava më shumë se në mbledhjen e Byrosë Politike.Një lopë më pa drejt dhe belbëzoi aq fort, sa m’u duk sikur po jepte raport para Partisë. Ky ishte simboli i pushtetit: edhe kafsha fliste gjuhën e ideologjisë. Brohoritjet e fshatarëve tronditën malet e Moravës, aq sa një shkëmb u shkëput dhe ra si aplaus guri mbi një fushë me grurë. Burrat tundnin lopatat si gladiatorë romakë. Një burrë, nga entuziazmi, më shtrëngoi dorën – duart i kërcisnin si vinç metalurgjiku.
“Mos ma shtyp, o burrë, se kjo dorë është për vulën e Partisë, jo për lopatën tënde!” – i thashë me zë të ulët.
Balta e fushës ishte djepi i socializmit, ku rriteshin të gjithë – gruri, qepët dhe ndërgjegjja klasore. Kur hipa në podiumin e improvizuar prej arkash me domate, thashë:
— Kooperativa nuk është thjesht arë, është katedrale proletare!
Fshatarët, me kurrizin e përkulur, më dukeshin si katedrale të gjalla, që luteshin për shi. Në atë çast, era fryu dhe ngriti fundet e grave lart, duke i valëvitur si flamuj të kuq.
Era vetë dukej sikur më shërbente si fanfarë revolucionare. Pas takimit, disa gazetarë lokale më pyetën nëse mund të botonin ditën e nesërme një artikull me titull “Shoqja Drita u prit në kooperativë si dielli që ngroh arat dhe zemrat. Çdo hap i saj mbi baltë u shndërrua në fitore të re bujqësore.”
Po mendoja me vete: “Po të ishte kështu, me një hap timin do të korrnim bukë për dhjetë vjet…!”