Mbrëmja kishte rënë mbi vilë si një pallto e rëndë prej betoni socialist. Kishte vetëm një dritë të ndezur: ajo e zyrës sime në Komitetin e Partisë .
Tryeza e gjatë prej druri, e lëmuar si faqe e rrafshuar e historisë, priste të hante fletë rezolutash e procese-verbalesh.
Njëri nga kuadrot – shoku Koço, shef i seksionit të kulturës – mbeti pas, me pretekst se duhej të më sillte statistikat mbi bibliotekat.
Në fakt, solli vetëm një dosje bosh, që u hap me zhurmë, si këmishë e grisur në mes të natës.
— Shoqe Sekretare, — tha ai me zë të butë, — Partia na mëson të jemi të lidhur me popullin. Por populli fillon nga ti…
U afrua. Barku i tij, i fryrë si depo e grurit të boshatisur, preku tavolinën. Duart i kishte të trasha, si lopata që hapin varrin e moralit proletar. Më zgjati një mollë të kuqe, e shëndritshme si simbol i mëkatit.
Ai mendonte se mollën po ma ofronte si dhuratë revolucionare, ndërsa unë e pashë si biletë hyrëse për një ferr personal. Buzët e tij të lagura shkëlqenin në dritën e llambës, si salçiçe me bulëza avulli në sobën e mensës së kooperativës. Zemra më rrahu fort, më ngriti gjakun deri në atë pikë, sa busti i Leninit në qoshe filloi të më shikonte me xhelozi erotike. Epshi i tij ishte krimbi që gërryente mollën e socializmit.
Unë qesha me zë të ulët.
— “Shoku Koço, populli fillon nga unë, por nuk përfundon me ty. Unë do ju forcoj bindjen politike dhe do ta bëj aq të fortë, sa kur të ulni pantallonat, ta bëni me leje nga Partia.” – i thashë.
Ai u ul i turpëruar, dhe djersa i rridhte në faqe si përrua turpi, që nuk ka digë ideologjie për ta ndalur. Koço u shfaq në mbledhje me sy që shkëlqejnë… jo nga idealizmi, po nga epshi që ia ngatërron “linjën e Partisë” me vijën e këmbës sime. Ai nuk e puth dot dorën time, pasi do të raportojë direkt e në buzë, si një spiun i devotshëm i pasionit. Ai thotë se është gati të japë jetën për socializmin, por e para që e jep është ora e dorës, sapo hyn një fund i shkurtër në zyrë.
Ky ishte raporti që do dërgoj për shokun Koço në Komitetin Qendror nesër, ditën e Hënë.
Vijon…