I dashur Kryetar,
alias “koka e kauzës”, “trupi i integrimit” dhe “sytë e shpresës që shohin vetëm majtas por dëgjojnë djathtas”,
Kemi zbuluar një tradhëti të madhe brenda radhëve të Partisë. Po, zoti Kryetar. Po ju shkruaj në kushte të rënda emocionale. Fqinja që dikur mbante flamurin e partisë në ballkon… tani po fshin dritaret me të.
E pashë me sytë e mi, me dylbitë që më dhuroi një gjeneral në vitin 1999 kur e gënjeva që isha pjesë e SHIK-ut. Po ju them: ka rënë morali, janë shuar idealet, dhe në zyrën e partisë që kishim , tani bëhen kurse parukerie dhe një seminar për “Meditim pas-tranzicioni”.
Por nuk mbaron me kaq…
Tronditja e madhe:
Disa anëtarë lokalë (me fletë të vjetra antarësimi dhe kujtime të ftohura nga koha e fushatave me rizoto dhe sufllaqe në jug) janë parë në ambientet e një partije tjetër… me bluzë me yll.
Një burrë i njohur në lagje që dikur bërtiste “FORCA Kryetar!” tani është parë duke ngritur gotën me një kandidat të partisë tjetër e duke thënë “ne duam stabilitet, jo tritol metaforik”.
Pyetjet që ngriten si flamur me erë:
A është kjo fundi i një epoke me flamuj të palosur në brez?
Kush po bën “non-grata” idealet e Lëvizjes që dikur i thoshte të gjitha, por pa sqaruar asgjë?
A do ketë një “ringjallje” nga burgu, si në ndonjë film ku lideri kthehet me baluke të re dhe dy gishta më të ndritur?
Zoti Kryetar, po ju them këtë:
nëse nuk e nisni një parti të re nga burgu, do e bëjmë ne nga shkalla – ku fushata do përfshijë ofendime të shpejta, ide të mjegullta dhe kapele me logon tuaj në 3D.
Deri atëherë, qëndroni i fortë, i palëkundur dhe… për dashurinë e Shqipërisë, mos postoni më video nga qelia me oriz me gjalpë duke folur për Skënderbeun dhe NASA-n. Nuk na ndihmon në terren.
Në pritje të kthimit të dy gishtave me më shumë muskul se kurrë dhe në shërbim të të vërtetës,
Hekri Shkuma