Pas natës së gjatë në zyrë, ku shoku Koço më ofroi mollën e mëkatit, sot në mëngjes dera e Komitetit të Partisë u hap me zhurmë.Një sekretar hyri me një dosje të trashë, të mbushur me raporte të reja mbi Koçon. Partia nuk flinte: nata e tij e epshit ishte kthyer menjëherë në ditën e gjyqit.
Në sallën e mbledhjeve, ku më kërkoi “popullin”, sot e gjetën ulur përballë një tryeze që dukej si shtrat operacioni ideologjik.Fytyra e tij ishte zverdhur, barku i madh i varesh mbi brez si torbë patatesh të kalbura. Dosja e tij u quajt: “Degjenerimi moral dhe politik i shokut Koço”.
Akuza e parë:
Marrja e dy kilogramëve kafe nga magazina.
— Ishte vetëm një grusht, — u mbrojt ai.
Grushti i tij ishte mal për Partinë.
Akuza e dytë:
Shikim i fshehtë i një filmi jugosllav ku vallëzonin gra me funde të shkurtra.
— Ishte vetëm një sekuencë, — tha i zënë ngushtë.
Një sekuencë për të, një kapitull tradhtie për ne.
Akuza e tretë:
Komplimentet ndaj grave të kuadrove.
— I thashë vetëm se kishin flokë të bukur…
“Flokët e grave nuk janë për syrin tënd, shoku Koço, por për gërshërët e Partisë që i qeth sipas standardit.” – i thashë.
Djersa i rridhte aq shumë, sa procesverbali u bë qull dhe faqet u ngjitën bashkë, sikur historia vetë po ia vuloste fajin. Brohoritjet kundër tij qenë aq të forta, sa tavani i Komitetit u drodh si daulle revolucionare. Koço rrinte ulur si gic thertoresh
që pret thikën, por ende gërhet nga zakoni.
Fajet e tij ishin krimbat që hanin mollën e Partisë.
U ngrita dhe thashë me zë të prerë:
— Partia fal çdo gjë, përveç barkut bosh dhe kokës plot epsh!
Salla shpërtheu në duartrokitje. Vendimi ishte unanim: internim në një ish-burg famëkeq të kohës së luftës së klasave. Eskorta u nis me dy “GAZ”-e të mbushur me kuadro dhe oficerë.
Kur makina ndaloi para Burgut, portat e ndryshkura u hapën me një gërvimë që tingëlloi si himn funerali. Muret e lagura të burgut shndrisnin si dhëmbët e kalbur të një plaku, që prapë do të të predikonte moral.
Në fshatin përreth, njerëzit qeshnin:
— “Koço, tani do kesh bibliotekë të re: raftet me tela me gjemba!”
Një plak me qeleshe tha:
— “Po mirë mo, për një mollë e internuat?!”
Dhe një tjetër ia ktheu:
— “Për mollën e parë e lanë Adamin pa parajsë, si do shpëtonte Koço?!”
Mbyllja ime për Koçon:
“Shoku Koço nuk u rrëzua nga armiku i jashtëm, por nga armiku i brendshëm që mbante në pantallona. Partia i dha libra, ai zgjodhi funde. Unë i dhashë dorën, ai deshi buzët.Prandaj sot e çuam atje ku as fundet nuk valëviten, veç telit me gjemba. Kështu mësohet morali proletar: jo me poezi për gratë, por me kazmë për gurët.